Një gazetare italiane është goditur me shuplakë në të pasme nga një tifoz, kur ishte në një lidhje direkte pas ndeshjes Empoli-Fiorentina.
Greta Beccaglia, e Toscana TV, pasi u ngacmua “live”, iu drejtua tifozit me fjalët: “Më fal, por nuk mund ta bësh këtë gjë”.
Ndërkohë, moderator i programit Giorgio Micheletti dëgjohet të thotë: “Mos e merr për keq, mos u mërzit”.
Ngjarja vjen pikërisht në javën kundër dhunës ndaj grave dhe ka ngjallur polemika të ashpra në vendin fqinj.
Sot, gazetarja ngriti padi ndaj burrit që e goditi, ndërkohë që policia bëri me dije se e ka identifikuar.
“Ajo që më ndodhi mua është e papranueshme dhe nuk duhet të përsëritet më. Incidenti ndodhi gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, por fatkeqësisht e dimë që ngacmime të tilla i ndodhin femrave të tjera jashtë kamerës dhe askush nuk e merr vesh”, tha gazetarja për “Corriere Fiorentino”. (A2 Televizion)