
Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Durrës ka pezulluar aktivitetin e saj me persona në sportele. Shkak i këtij pezullimi është bërë fakti që një nga punonjëset në sportelet e shërbimit të kësaj agjensie rezultoi pozitive me COVID-19.
Për këtë arsye, ambientet brenda iu nënshtruan dezinfektimit, ndërsa është pezulluar puna deri në një vendim të dytë. Në këtë institucion janë marrë 32 tampone nga persona që kanë patur kontakt me punonjësen e infektuar dhe janë në pritje të rezultateve.
Burime pranë këtij institucioni bëjnë me dije se e infektuara ka patur të infektuar prindërit dhe mendohet se e ka marrë prej tyre virusin. Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Drejtësisë kanë mbërritur pranë Agjensisë së Kadastrës në Durrës, ku do të marrin një vendim për rifillimin ose jo të shërbimeve për qytetarët. Aktualisht, kjo agjensi ofron vetëm shërbimin “online” deri në një urdhër të dytë në varësi të përgjigjeve të analizave. (A2 Televizion)