
Numri i krimeve seksuale në vend ka ardhur në rritje gjatë tre viteve të fundit. Referuar të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, nga viti 2017, në vitin 2018, numri i procedimeve penale për krime seksuale është rritur me 10.7 për qind. Ndërsa një vit më vonë, në 2019 rritja e numrit të hetimeve të nisura për krime seksuale është gati 40 për qind.
Në raportin vjetor të gjendjes së kriminalitetit për vitin e kaluar thuhet se janë regjistruar në total 158 çështje për krime me natyrë seksuale, nga të cilat 49 persona kanë përfunduar të dënuar me vendim gjyqësor.
Sa i përket të dhënave sociale dhe demografike rezulton se 99 për qind e të pandehurve janë meshkuj, mbi 18 vjeç për t’i lënë 1 për qind femrave të akuzuara për këto lloj krimesh. Pjesa më e madhe e të pandehurve, gati 66 për qind e tyre janë me arsim deri në 9 vjeçar dhe banojnë në qytet.
Numri më i lartë i gjykimeve ndaj personave të akuzuar për krime seksuale i takon Gjykatës së Tiranës, e cila ndiqet nga Durrësi dhe më tej në shkallë zbritëse Shkodra, Elbasani dhe Vlora. Sipas shifrave, nga të gjitha gama e veprave penale që përfshijnë krimet seksuale, më e ndeshura është ajo e “ngacmimit seksual”. (A2 Televizion)