
Prej më shumë se 10 vitesh, prokurori i komanduar i Tiranës, Anton Martini ka qenë në mbrojtje policore, për shkak të dosjeve të nxehta që ka pasur në duar. Në çështjet që ai ka hetuar janë ato të bandës së Durrësit, të Cërrikut, apo çështje të tjera si e Lazaratit dhe Arben Frrokut, i dënuar për vrasjen e komisarit të policisë, Dritan Lamaj.
Martini është prokuror prej 20 vitesh, duke e nisur karrierën në Krujë e më pas në Lushnjë.
Prej vitit 2004 ka qenë pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa vendimin e vitit 2015 për transferimin e tij në Prokurorinë e Shkodrës e konsideron si të jashtëligjshëm.
Në vitin 2016 është rikthyer të Krimet e Rënda, për t’u komanduar një vit më vonë si titullar i Prokurorisë së Shkodrës, ku edhe u vërejtën nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit probleme në menaxhimin e çështjeve.
Nga mesi i vitit 2018, Martini u rikthye te Krimet e Rënda, por me transformimin e kësaj prokurorie në SPAK, ai u komandua në prokurorinë e Tiranës.
Sipas deklarimit të bërë para komisionit të vetingut, Martini është pronar i një banese, të cilën e ka blerë duke marrë dy kredi.
Apartamenti në pronësi të tij është vlerësuar me 90 mijë euro, ndërsa arredimi 2 milionë lekë.
Sipas hetimeve të Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, Martini ka shlyer 85 mijë euro nga vlera e apartamentit.
Në shkallën e parë të vetingut, edhe figura profesionale ishte vlerësuar si e drejtë, pa kontakte me krimin e organizuar. (A2 Televizion)