
Ndërsa drejtuesit e pushtetit lokal në Elbasan promovojnë zonat turistike, situata e mbledhjes dhe menaxhimit të mbetjeve urbane në rrethinat e qytetit nuk ka nevojë për komente.
Kazanët e mbeturinave të tejmbushur dhe plehra të hedhura përtokë, është pamja që të ofrohet dhe që shqetëson banorët e këtyre zonave dhe gjithkënd që e shikon.
Por me sa duket kjo situatë nuk është aspak problematike si për bashkinë ashtu edhe për firmën e pastrimit që me taksat e banorëve të Elbasanit ka marrë përsipër të kryej heqjen e këtyre mbetjeve.
Problematika pranohet edhe nga bashkia e Elbasanit. Drejtori i shërbimeve publike Klisni Lala shprehet se është ngritur një Task-Forcë për menaxhimin e situatës.
Ndërkohë situata është akoma më shqetësuese përgjatë përroit të Manzderes në lagjen 5 maji të qytetit. Sakaq në qendër të qytetit, shume pranë poliklinikës qendrore të specialiteteve edhe pse kazanët e mbetjeve nuk janë të tejmbushur, pas tyre, situata është alarmante. (A2 Televizion)