Negociatat nisin me sherr, Rama përjashton bisedimet me Berishën: Presidenti jo nga PS

Nga A2 CNN
21 Prill 2022, 16:32 | Politikë
Negociatat nisin me sherr, Rama përjashton bisedimet me Berishën:

Procedura parlamentare përzgjedhjen e presidentit të ri të vendit nuk ka nisur ende zyrtarisht, por kjo nuk e pengoi maxhorancën dhe opozitën që të akuzonin njëra-tjetrën në sallën e parlamentit. Kryeministri nisi debatin duke caktuar vijat e kuqe. Nga një anë refuzoi dialogun me Sali Berishën, ndërsa bëri të qartë se president nuk mundtë bëhet asnjë deputet. Në vrullin për t’i kthyer përgjigje, Berisha shtyu nga foltorja demokratin Alibeaj, incident të cilin e cilësoi më pas një keqkuptim.

Edi Rama vuri vijat e kuqe për presidentin e ri. Në sallën e Kuvendit shefi i socialistëve i preu shpresat deputetëve që mund të aspironin postin e kreut të shtetit duke nënvizuar se kërkonte një kandidaturë që shkonte përtej partisë së tij.

“Ne nuk do të zgjedhim një president nga grupi i PS. Ne do të mundohemi të zgjedhim një president që është përfaqësues më shumë se sa një pjese që është shumica”, tha Rama. 

I vdekur politik për Edi Ramën është Sali Berisha, ndaj të cilit vuri vijën e dytë të kuqe.

 “Ne nuk e zgjedhim se kush e drejton grupin tuaj parlamentar, kush e drejton PD, nëse ju do të bëni zgjedhjet që do të drejtoni nga një i vdekur, ne me PD do të ndërpresim çdo marrëdhënie”, tha Rama.

Replika me Edi Ramën nuk ishte e lehtë për Sali Berishën. Fillimisht iu desh të largonte Alibeajn edhe nga foltorja.

Ky akt i Berishës shkaktoi debate në sallë duke ndërprerë për pak çaste punimet por nuk e pengoi ish-kryeministrin ti jepte mesazhin Edi Ramës se pensioni politik është ende larg.

 “Jam sot këtu për të falënderuar për herë të parë Edi Ramën, i cili i tmerruar, në panik deklaroi se nuk bashkëpunon me mua. E siguroj që ky është një nder i veçantë dhe do të vazhdoj betejën time sa të marr vendin që më takon”.

Mesazhi i dytë i Berishës ishte për vijat e kuqe të Edi Ramës në lidhje me zgjedhjen e Presidentit duke e quajtur ftesën e socialistëve si një farsë që nuk do ta bëjë pis opozitën.

“Në një proces mafioz i shndërruar njëlloj si tenderat sekrete që zhvillohen në kryeministri. Kurrë nuk mund të përzihet opozita”, tha Berisha.

Debati në sallë u shua pas largimit të Ramës dhe Berishës, por Alibeaj nuk rrezikoi më me foltoren.

Njësoj si Berisha refuzoi të bëhej pjesë e asaj që e konsideron pazare zarfash, por thumbat i lëshoi ndaj në të dyja krahët. 

“Të paktën zarfat merrnii çojini atje ku kanë vendin, sa e tha. Në fakt ky trimi i madh dhe gjithë trimat që janë në sallë do të duhet të flasin për diçka që është e rëndësishme dhe që i prek shqiptarët, raporti amerikan iu dash, dizenjimi i personazheve non grata politikë”, u shpreh Alibeaj.

Negociatat pritet të vazhdojnë javën e ardhshme, ndërsa votimi i parë për Presidentin pritet në 10 ditëshin e parë të Majit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos