
Kjo është një përmbledhje e zhvillimeve kryesore më të fundit të pushtimit rus ndaj Ukrainës (A2 Televizion)
- Edhe pas premtimit rus në bisedimet e paqes në Stamboll, për të “ulur në mënyrë drastike” operacionet ushtarake rreth Kievit, raportimet nga mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se në afërsi të kryeqytetit janë dëgjuar sërish shpërthime.
- Blloqe të tëra lagjesh në qendër të Mariupolit janë zhdukur, në një nivel shkatërrimi që nuk ishte parë më parë në qytetin e rrethuar ukrainas. Imazhet e reja satelitore nga Maxar Technologies tregojnë përditësimet e ditëve të fundit.
- Sipas shtabit të përgjithshëm ukrainas të cituar nga “Kyiv Independent”, 17 300 ushtarë rusë janë vrarë që nga 24 shkurti. Këto janë shifra të pakonfirmuara nga Kremlini që më 25 mars dha lajmin për 1351 ushtarë rusë të vdekur në betejë.
- Sir Richard Shirreff, ish-komandant i lartë i NATO-s në Europë, tha se nuk beson që Rusia do të ndalë sulmet e saj ndaj Kievit dhe Chernihivit, duke shtuar se për sa kohë që Putini qëndron në pushtet, “nuk mund të ketë paqe”.
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një vizite në Kinë, ka deklaruar se “Rusia, Kina dhe simpatizantët” e tyre po ecin përpara drejt një rendi të ri botëror “multipolar, të drejtë dhe demokratik”. Në takimin me homologun e tij kinez, Wang Yi, Lavrov tha: “Ne, së bashku me ju dhe me simpatizantët tanë, do të ecim përpara drejt një rendi të ri botëror multipolar, të drejtë dhe demokratik”.
- Rusia frenon entuziazmin për përparim të mundshëm në bisedimet e paqes me Ukrainën. “Nuk mund të themi se ka pasur diçka premtuese apo ndonjë përparim”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për gazetarët.