
Marrëveshja kontroverse mes Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse serbe u nënshkrua të mërkurën. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Dritan Abazovic, i cili publikoi fotot në rrjetin social Telegram. Pa njoftim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve, mëngjesin e së mërkurës mbërriti në Podgoricë patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq.
Marrëveshja u firmos në vilën shtetërore Gorica, nën masa të rrepta sigurie. Çështja është bërë objekt konfliktesh brenda qeverisë së Abazovic dhe mes anëtarëve të shumicës qeverisëse. Një pjesë e mazhorancës, DPS dhe Partia Socialdemokrate, njoftuan se ujdia është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me ligjet malazeze.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila njoftoi se do të ndërmarrë nismën për votëbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviqit.
“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftim.
DPS-ja e Gjukanoviqit, e cila është partia më e madhe në Parlament, deri më tani ka ndihmuar në funksionimin e Qeverisë pakicë të Dritan Abazoviqit, por tërhoqi mbështetjen pas miratimit të marreveshjes me 8 korrik.
Qeveria nuk kishte publikuar një datë për nënshkrimin e ujdisë, ndërsa kryeministri Dritan Abazoviq ka mohuar informacionet jozyrtarese nënshkrimi është caktuar për 3 gusht.
Marrëveshja themelore që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kishës Serbe dhe shtetit të Malit të Zi parashikon një sërë detyrimesh të shtetit ndaj kishës. Ajo i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla. (A2 Televizion)