
Udhëtimet për aventurë me motorë dhe biçikletë nëpër rrugët e Shqipërisë, që nga veriu në jug tashmë janë kthyer në një trend për turistët e huaj, ndërkohë që shumë prej tyre pushojnë në bregdetin shqiptar.
Një grup motoristësh aventurierë nga Serbia, Turqia dhe Polonia po vizitojnë Shqipërinë, jo vetëm për detin dhe qetësinë, por dhe për adrenalinën, relaksin, vështirësitë e çdo gjë tjetër që sjell udhëtimi me motor në rrugët e vendit tonë. Udhëtimi nis nga Kukësi për të vijuar në Vlorë e Sarandë, ku do të qëndrojnë disa ditë.
”Jam nga Sanxhaku. Po shkoj në Shqipëri për pushime, në bregdetin e Shqipërisë. Shqipëria është e bukur dhe me plazhe e bregdet të mirë. Çdo vit vij në Shqipëri. Do të qëndroj dy ditë në Vlorë, dy ditë në Ksamil dhe dy ditë në Sarandë. Më pas në Greqi dhe në Mal të Zi”, thotë njëri prej tyre.
”Jam nga Turqia. Po shkojmë në Shqipëri në Vlorë dhe Ksamil për pushime në bregdet. Vlora është shumë e bukur edhe Shqipëria është e bukur. Njerëzit janë të mirë. Edhe bregdeti është i bukur me pak probleme, por është i bukur. Do të qëndroj katër ditë e më pas në Mal të Zi”, pohon një tjetër.
“Jemi nga Polonia. Do të udhëtojmë në Shqipëri dhe më pas do të udhëtojmë nëpër rrugët e Malit të Zi, e më pas në Poloni. Kemi kaluar në Sllovaki, Hungari, Rumani, Serbi, Kosovë e tani në Shqipëri. Hera e parë që vij në Shqipëri. Shokët e mi kanë qenë më përpara. Ne zakonisht preferojmë rrugët në male që iu përshtaten edhe mjeteve tona”, janë fjalët e një vizitori polak për A2 CNN.
Shqipëria po i pëlqen edhe Xhejmsit nga Alaska e SHBA-ja që aventurën e udhëtimit me biçikletë nëpër rrugët e vendit tonë, e ka nisur nga Greqia. Atë e takuam në rrugën e Kombit, gjatë pushimit pas një rruge të gjatë nëpër Kosovë. Xhejmsi vjen për herë të parë në Shqipëri, ndërsa për Malin e Gjallicës në Kukës, thotë se është i ngjashëm me relievin e vendlindjes së tij.
“Jam nga Alaska, sonte do të jem në Fushë-Arrës më pas në bregdet, më tej në Mal të Zi, Kroaci, Slloveni. Kam filluar udhëtimin nga Athina. Fundi i udhëtimit tim me biçikletë do të jetë Venecia e më pas në shtëpi. Dua të shoh vendin dhe shtëpinë tuaj. Vij për herë të parë. Më pëlqen shumë. Vend i mirë. Vetëm 1 orë që jam në Shqipëri dhe duket vendi i bukur. Dy ditë do të jem në Shqipëri. Komunikimin me njerëzit që do të takoj do e bëj me Google Translate. Më vjen keq që nuk di shqip”, thotë amerikani.
Viteve të fundit, turizmi rrugor me biçikleta e motorë është bërë i preferuari për aventurierët e natyrës dhe turistët e huaj. (A2 Televizion)