
Rusia ka lëshuar anijet spiune në Detin e Veriut. Kështu raporton BBC, duke theksuar se Moska planifikon që me anë të tyre të kryejë operacione sabotazhi në parqet eolike, tubacionet e gazit dhe në kabllot teknologjike nënujore të vendeve nordike.
Detajet u zbardhën nga një investigim i përbashkët i televizioneve publike të Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës. Pretendohet se Rusia ka vendosur në lundrim një flotë me anije të maskuara si peshkarexha dhe mjete lundruese kërkimore në Detin e Veriut.
Në një prej tyre vërehet dhe një person i armatosur, që i ngjason më shumë një ushtaraku se sa një peshkatari. Anijet posedojnë pajisje për vrojtime nënujore dhe lokalizojnë zona kryesore për misione të mundshme sabotazhi.
Zyrtarë të inteligjencës së vendeve nordike ngrenë dyshimet se e gjitha kjo është në parapërgatitje për një përplasje të mundshme të Rusisë me fuqitë perëndimore. BBC raporton se autoritetet britanike janë në dijeni të faktit që anijet spiune të Putinit po lëvizin përreth Mbretërisë së Bashkuar.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, reagoi duke hedhur poshtë pretendimet. Ai këshilloi perëndimin që t’i kushtojë më shumë vëmendje hetimeve për sulmet terroriste ndaj gazsjellësve Nord Stream. Duke kaluar nga njëra anë në tjetrën, Peskov lëshoi dhe një kërcënim ndaj Koresë së Jugut.
“Nuk ka asgjë të re lidhur me sanksionet. Fatkeqësisht, Seuli ka marrë një qëndrim jomiqësor në gjithë këtë sagë. Sigurisht që Perëndimi do të përpiqet që të zhysë edhe më shumë vende të tjera drejtpërdrejtë në këtë konflikt. Natyrisht, dërgimi i armëve në Ukrainë nënkupton një lloj përfshirje indirekte në konflikt”, tha Dmitry Peskov. Më i ashpër, ndaj Koresë së Jugut është treguar zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse. Dmitry Medvedev, një ndër miqtë më të afërt të Putinit, kërcënoi Seulin duke thënë se shumë shpejt mund të shohin armët e fundit të Rusisë të përdoren nga fqinji aleat i Putinit, Koreja e Veriut. Një tentativë kjo e ish-presidentit për të intimiduar Korenë e Jugut në dërgimin e armatimeve për Ukrainën. (A2 Televizion)