
Fredi Beleri nuk do të betohet si kryetar i Bashkisë së Himarë, dalë nga zgjedhjet e 14 majit. Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për të marrë pjesë në mbledhjen e konstituimit të Këshillit Bashkiak, Himarë.
Mbledhja e parë është vendosur të mbahet më 27 qershor, ditën e nesërme dhe në të njëjtën ditë procedura parashikon edhe betimin e kryetarit të zgjedhur, Fredi Belerit.
Referuar ligjit, që mbledhja e Këshillit Bashkiak të quhet e vlefshme duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të zgjedhur. Që do të thotë se të martën në sallë duhet të jenë patjetër 11 nga 21 këshilltarët bashkiakë. Partia Socialiste zotëron shumicën me 9 anëtarë bashkë me aleatët e saj Social-Demokratët e Tom Doshit dhe MEGA e për rrjedhojë mbetet për të parë nëse do të marrin pjesë për të bërë konstituimin, ndërkohë që kryetari i zgjedhur vijon të jetë në burg.
Beleri u arrestua për akuzën e "korrupsionit në zgjedhje" 2 ditë para 14 majit. (A2 Televizion)