Në 23 korrik qytetarët e Rrogozhinës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. Kryekomicioneri Ilirjan Celibashit ka vendosur këtë datë për mbajtjen e zgjedhjeve pasi Kolegji Zgjedhor pranoi kërkesën e koalicionit Bashkë Fitojmë, për ripërseritjen e këtij procesi zgjedhor.
Përfaqësuesit ligjorë të dyshes Berisha -Meta kundërshtuan rezultatin e 14 majit, kur u shpall fitues Edison Memolla, kandidati i PS, me argumentin se kutia e fundit që i dha fitoren atij ishin votat e të burgosurve. KQZ pranoi kërkesën për rinumërim dhe nga hapja e kutive diferenca e socialistit me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Shkëlqim Hoxha u ngushtua nga 30 në 21 vota.
Nga ana tjetër pritet që në ditët në vijim të caktohet një datë edhe për zgjedhjet në Bashkinë e Kukësit pas shpalljes së vakancës nga ana e qeverisë. Kjo Bashki mbeti pa një drejtues pas publikimit të video skandalit seksual të Safet Gjicit në zyrën e tij. (A2 Televizion)
