Porti i Durrësit dhe Butrinti, Berisha akuza anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese: Janë bërë aneks i PS

Nga A2 CNN
23 Qershor 2023, 20:14 | Politikë
Porti i Durrësit dhe Butrinti, Berisha akuza anëtarëve të

Konferenca për shtyp e të premtes ishte për Sali Berishën një sulm frontal ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilën e konsideron si aneks të Partisë Socialiste.

Antikushtetues quajti vendimin e trupës, e cila nuk pranoi kërkesën e opozitës për të rrëzuar marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe, që shërben si baza ligjore për Marrëveshjen e Portit të Durrësit. 

“Duhet bërë një hetim nëse ata gjykatës kanë marrë ndonjë apartament në Dubai City të Edi Ramës, me vendimin që morën. Kjo marrëveshje është në kundërshtim të hapur me marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe gjykata Kushtetuese është e detyruar t’i japë përparësi marrëveshjes së stabilizim-asociimit përpara marrëveshjes së Durrësit. Ne do ta çojmë në Strasburg marrëveshjen e portit të Durrësit”, tha Berisha.

Edhe për çështjen tjetër që po shqyrtohet në kushtetuese, atë të Parkut të Butrintit, Berisha u shpreh pesimist dhe paralajmëroi se dosjen do ta kthejë në një çështje ndërkombëtare.

“Kanë shtyrë dhe përpiqen ta kalojnë çështjen e Butrinit. Ajo do të bëhet një çështje botërore, ndërkombëtare, dhe nuk do të pranohet kurrë një vendim i korruptuar i kësaj gjykate”, premtoi Berisha.

Edhe pse beteja ligjore e opozitës në KAS dhe Kolegj Zgjedhor duket se është humbur, Berisha vijoi me denoncimet për manipulim të zgjedhjeve. Ai publikoi disa video nga votimet në Elbasan dhe tha se vullneti i qytetarëve është tjetërsuar.

Kur u pyet se cilat janë hapat eradhës dhe nëse bashkëpunimi me Ilir Metën vijon njësoj si para 14 Majit, tha se po organizojnë frontin më të madh opozitar.

“Të garantoj se po bashkëpunoj dhe Ilir Meta është jashtëzakonisht entuziast për detyrimin që ka opozita për rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve. Mbetet i palëkundur dhe Partia e Lirisë mbetet e palëkundur në këto parime. Dhe ju garantoj se jo vetëm ai, por ju garantoj se do të krijojmë frontin më të gjerë opozitar dhe do ta kryejmë këtë mision”, përfundoi ish-kryeministri.

Berisha njoftoi se grupi i punës që është ngritur për analizimin e zgjedhjeve të 14 Majit është duke përfunduar raportin që do të faktojë atë që ai e quan masakër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos