
LSI nuk është aleate e askujt, nuk ka bashkëpunim me opozitën dhe e ardhmja e saj varet nga zhvillimet brenda PD-së. Këtë arsyetim dha në studion e Debatit në A2 CNN, analisti Plator Nesturi, pas deklaratave të kreut demokrat Lulzmi Basha për trekëndëshin e Bermudës dhe kundërakuzave të kryetares së LSI- për opozitë “fake”.
“Deklarata e Bashës nuk prekte LSI, por Metën që është president dhe jo kryetar i LSI. Ky është treguesi i ndryshimit të raporteve brenda opozitës. Ajo që shoh unë është që LSI nuk është aleate e askujt, kjo marr është ndërprerë që pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku LSI pranoi humbjen, rezultatin dhe ishte në pozicion të ndryshëm, dhe kundërshtues me atë që deklaronte kreu i PD. Kemi ndryshime që kushtëzojnë edhe ardhmërinë politike. Por ajo që kemi parë në gjithë këto muaj ka qenë fakti që nuk ka bashkëpunim më opozitën”.
Për Nesturin, LSI mund të parapëlqejë rikthimin e Berishës në krye të PD, por nuk e ka dëshmuar për shkak se mund të ketë fatura të tjera.
“LSI më duket si dama që është e ftuar në ballo dhe nuk fton askush për të kërcyer. LSI është e vetëdijshme që nuk mund ta luajë e vetme rolin e opozitës. Aq me tepër që pesha e saj politike ka rënë dhe ajo që unë shoh me interes është qëndrimi i LSI lidhur me debatin e brendshëm brenda PD. Ka një lloj qëndrimi ndaj Bashës, por sa do të afrohet me lëvizjen e Berishës LSI nuk e ka dëshmuar akoma. Mund të jenë dëshira. Ka shumë faktorë që të shprehesh hapur pro lëvizjes Berisha mund të ketë edhe fatura të tjera që LSI-së nuk i intereson ta mbajë. Mund ta mbështesë nga poshtë, por jo direkt. Sa më shumë thellohet përplasja mes Bashës e LSI aq më indirekt do shkojnë parapëlqimet e LSI për riardhjen e Berishës në krye të PD. Kjo është mesa shoh te LSI. Maksimumi i lëvizjeve në LSI është rikthimi i Metës. Unë shoh që LSI është e ndërvarur nga zhvillimet që po kalon PD. Kemi dy PD kurse LSI është një”.
Sipas Nesturit rikthimi i Metës në krye të LSI mund të jetë maksimumi i lëvizjeve në LSI, por kjo do të varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kreun e shtetit.
“LSI nuk e ka fuqinë për proces të brendshëm. Meta ka një betejë shumë të rëndësishme me Gjykatën Kushtetuese dhe në varësi të saj kjo ndikon në karrierën e Metës. Kemi të bëjmë me një vendim që shkon në kahe të ndryshme. Shkarkimi i një presidenti do të thotë një turpërim i tij. Dhe në këtë rast duhet të jetë mbyllur karriera politike. Në rast se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është për vijimësinë e mandatit presidencial, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Meta mund ët vijojë te LSI, por ka edhe një sens morali se çështje të tilla nuk shkojnë në Gjykatë Kushtetuese. Edhe kur ka pasur mocione këto janë mbyllur me dorëheqje për të mos shkuar te Gjykata Kushtetuese”. (A2 Televizion)