
Deri në verë Banka e Shqipërisë do të ketë ndërhyrë për të rritur normën bazë të interesit. Kështu u shpreh Business News eksperti për ekonominë Pano Soko, sipas të cilit kjo është e vetmja lëvizje për të rregulluar situatën inflacioniste.
“Janë krijuar kushte për ndërhyrje në normën e interesit. Është e vetmja levë momentale që ka BSH për të ndërhyrë në treg dhe për të rregulluar situatën inflacioniste. Rritja e normës do të jetë hapi i ardhshëm i pritshëm nga BSH dhe besoj deri në verë të këtij viti do të ketë lëvizje për të rregulluar krahun e ofertës me qëllim që kjo bazë monetare që qarkullon sot të fillojë të rirregullohet për të vendosur balanca të reja”.
Por Soko nuk përjashton edhe mundësinë e ndërhyrjes së dyanshme si në rritjen e normës së interesit dhe në forcimin e lekut, pavarësisht se për këtë të fundit shprehet që ka inflacion shqetësues për bankën.
“Më tepër se te kursi besoj te ndërhyrja e normës së interesit se është baza monetare që ndikon në këto presione inflacioniste, kursi nuk ka inflacion shqetësues për bankën. Nivelet e tanishëm janë të konsoliduar dhe nuk sjellin presion, por mund të ketë ndërhyrje të dykahshme; si rritja e normës së interesit dhe ajo e rritjes së lekut në raport me monedhat e tjera”.
Soko thekson se lëvizja e Bankës së Shqipërisë do të sjellë edhe rritje të kredisë në euro apo lekë
“Niveli i kreditimit me apo pa lëvizjen e fundit që do të bëjë BSH për çështjen e lekut do të kishte rritje kredia në euro apo lekë, por bizneset nuk kanë pasur kushtet për të rritur kreditimin e tyre për shkak të indeksit të optimizmit, situata politike dhe siguria për të ardhmen dhe biznesi nuk i ka gjykuar optimale për të rritur kreditimin”.
Ai u shpreh besimplotë se viti 2022 do të jetë viti i rimëkëmbjes ekonomike, ku do të ketë rritje të kërkesës ofertës dhe kapaciteteve prodhuese.
“Viti 2022 do të jetë viti i rimëkëmbjes dhe do të jetë një vit i qetë për të rikuperuar humbjet, biznesi do të pësojë ekspansion si në rritje të kërkesës dhe ofertës apo fuqinë prodhuese. Do të jetë një vit rikuperues. I vetmi mjet që ka biznesi për rritje kreditimi, individi dhe entet publike”. (A2 Televizion)