
Shqipëria duhet të bëjë ndryshime të mëdha në modelin e saj të rritjes ekonomike, për të qenë e shëndetshme dhe më e fortë. Rekomandimi vjen nga Banka Botërore, mbështetur mbi një skaner të detajuar të faktorëve që nxisin zhvillimin.
Katër janë fushat prioritare që identifikon memorandumi, ku duhet të përqendrohet vëmendja e politikave publike dhe bizneseve.
E para ka të bëjë me investimin në kapitalin njerëzor dhe përmirësimin e aftësive për punë. Kjo nënkupton edukimin dhe trajnimin e fuqisë punëtore, drejt aftësive që kërkon sot realisht tregu i punës.
E dyta ka të bëjë me rritjen e produktivitetit. Shqipëria çalon ndjeshëm në këtë aspekt edhe nëse krahasohemi me rajonin dhe Banka Botërore vlerëson se ekonomia do të rritej me 40% nëse bizneset shqiptare do të kishin të njëjtin nivel produktiviteti me atë të një firme mesatare në Ballkanin Perëndimor. Por kjo kërkon investime në inovacion, teknologji dhe integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në ekonominë globale.
Së treti, raporti vlerëson nevojën për një model ekonomik që mbron më mirë mjedisin dhe menaxhon siç duhet fatkeqësitë natyrore. Sipas Bankës, mbi 70% e mbetjeve në Shqipëri nuk menaxhohen si duhet, ndërkohë që tërmetet dhe përmbytjet shkaktojnë rreth 147 milionë dollarë dëme çdo vit.
Elementi i fundit është forcimi i financave publike, ku niveli i lartë i borxhit publik është mbi mesataren e rajonit. Po ashtu, kërkohen norma më të drejta të tatimit mbi të ardhurat personale, rritja e të ardhurave që mblidhen nga TVSH-ja dhe forcimi i besueshmërisë së politikës fiskale. (A2 Televizion)