Paraja në banka, rriten ndjeshëm depozitat dhe kreditë

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2022, 12:56 | Ekonomi

Kredia për ekonominë shënoi vitin që lamë pas nivelin më të lartë të katër viteve të fundit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se për vitin 2021, shuma e kredisë së re të disbursuar nga sektori bankar arriti në 264.6 miliardë lekë ose rreth 2.2 miliardë euro. Krahasuar me vitin 2020, vlera e kredisë së re ka shënuar rritje me 7.8%.

Rritja e nivelit të kredisë së re ka ardhur nga ndërmarrjet publike dhe nga individët, ndërsa huaja për bizneset ka shënuar rënie, duke sinjalizuar për situatën ende të paqartë ekonomike në vend. Rritja e kreditimit në tërësi është ndihmuar edhe nga interesat e ulëta. Në vitin 2021, norma mesatare e interesit për kreditë hipotekare në lekë rezultoi 3.6%, ndërsa një vit më parë ishte 4.4%. Nga ana tjetër, interesi mesatar për kreditë e reja në lekë për bizneset rezultoi 5.7%, duke mos pësuar ndryshim.

Për sa u përket depozitave, ato gjithashtu shënuan nivelin më të lartë historik që pas viteve ’90. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2021, individët bizneset dhe institucionet kishin të depozituara në sistemin bankar 1.22 trilionë lekë ose rreth 10 miliardë euro. Niveli i depozitave u rrit në harkun kohor të një viti me 9.4%. Rritja e depozitave ka ndodhur në një kohë kur interesat e tyre kanë shënuar rënie të ndjeshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos