
“Në kushtet e një shoqërie të varfër siç jemi ne, ku pjesa më e madhe është në pjesën e poshtme të piramidës së nevojave, është shumë e vështirë që t’i kërkosh kësaj shoqërie që të mendojë për cilësinë e jetën, për rritje të ndërgjegjësimit. Shkaku kryesor lidhet me mënyrën se ku gjendet shoqëria shqiptare, e goditur vazhdimisht nga padrejtësitë sociale, ku veçanërisht çështja e pronës krijon konflikte që nuk përfundojnë kurrë dhe vetëm rrëmbejnë viktima të tjera, ku indiferenca shtetërore ndaj qytetarit është e lartë. Të gjitha këto bëjnë që qytetari shqiptar të ndjehet në mëshirë të fatit”.
Kështu u shpreh në Ditarin e mëngjesit në A2, sociologia Entela Binjaku teksa komentoi ngjarjet e rënda të ndodhura ditët e fundit në Shqipëri.
Sociologia theksoi se veçanërisht ngjarjet e fundit, si aksidenti i rëndë në Fier-Vlorë dhe vrasja e 4-fishtë në Velipojë, i kanë dhënë një goditje të tejskajshme psikikës së mbarë shoqërisë.
“Kemi vite që flasim për tema që lidhen me kriminalitetin, dhunën, me mungesën e meritokracisë e të tjera. Shpesh diskutohen pasojat, ndërsa shkaqet janë më të thella. Ngjarjet e ditëve të fundit, në dallim nga ngjarjet e mëparshme, i kanë dhënë një goditje të tejskajshme psikikës së mbarë shoqërisë. Veçanërisht episodi i dhimbshëm i aksidentit automobilistik, po e quaj aksident edhe pse shumë njerëz e kanë përjetuar me tone të një natyre tjetër. Po ashtu edhe ngjarja në Velipojë kanë bërë që shumë njerëz të asociojnë veten me viktimat. Po flasim për një empati të përgjithshme që po gjejmë te njerëzit, të cilët janë duke u solidarizuar me këto situata të vështira”.
“Për të ndryshuar mendësinë e kësaj shoqëria ka shumë më tepër punë sesa është duke u bërë aktualisht. Kemi ardhur në pikën kur duhet të themi se nuk mund të vazhdohet më kështu”, tha më tej sociologia. (A2 Televizion)