Nga Bangladeshi në Tiranë, mundësi për studime dhe shkëmbim eksperiencash

Nga A2 CNN
9 Tetor 2021, 16:09 | Sociale

Aziz Nur Shah dhe Ar Rahman Atique janë dy qytetarë nga Bangladeshi. Ata punojnë si konsulentë të lirë në fushën e arsimit dhe prej rreth një jave gjenden në Shqipëri. Teksa i drejtohen zyrës së informacionit në Ministrinë e Arsimit në kryeqytet, ata tregojnë edhe planet që kanë:

“Unë jam nga Bangladeshi. Punoj si konsulent për studentët. Duke qenë se shumë të rinj nga Bangladeshi studiojnë në Europë, kam ardhur këtu për marrë informacion nga Ministria e Arsimit se  si funksionojnë procedurat për t’u regjistruar këtu. Është një mundësi e mirë për bashkëkombësit e mi studentë”, thotë Nur Shah.

“Nëse na rezulton që këtu ka një mundësi të mirë për studentët tanë nga Bangladeshi, mund të ndërmjetësojmë që ata të vijnë e të mësojnë këtu. Kjo do ishte një mundësi e mirë edhe për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Bangladeshit”, thotë për A2 CNN, Ar Rahman Atique.

Teksa tregon se deklarata e kryeministrit Rama për marrjen e punëtorëve nga Bangladeshi nxiti deri diku ardhjen e tij këtu, Azizi thotë se kjo do ishte një mundësi e mirë për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes dy vendeve. “Ai ka hapur një mundësi shumë të mirë për qytetarët nga Bangladeshi, pasi ne jemi një vend i varfër. Edhe Shqipëria do përfitonte nga eksperienca jonë në mjekësi apo manifakturë”.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave 1678 qytetarë nga Bangladeshi hynë në vend në 8 muajt e parë të këtij viti. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë krahasuar me vitin 2020 ku në Shqipëri hynë vetëm 29 qytetarë nga Bangladeshi apo edhe se 2019, vit në të cilin erdhën 134. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos