Putin akuzon Perëndimin: Ukraina po përdoret për të na kërcënuar

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2022, 15:06 | Bota
Putin akuzon Perëndimin: Ukraina po përdoret për të na

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij e ka pranuar realitetin pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe ka bashkëpunuar me të gjitha shtetet që dikur ishin republika përbërëse. Por, sipas tij, me Ukrainën situata është ndryshe, për shkak të ndërhyrjes së huaj aty.

“Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia i njohu të gjitha realitetet gjeopolitike dhe, siç e dini, ka punuar në mënyrë aktive për të forcuar bashkëpunimin me shtetet e pavarura që dolën nga hapësira e Bashkimit Sovjetik”, tha Putin në një takim me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

“Ne duam të punojmë me të gjithë fqinjët tanë, por me Ukrainën, situata është ndryshe. Sepse fatkeqësisht, territori i këtij shteti po përdoret nga vende të treta për të krijuar kërcënime kundër Rusisë. Kjo është arsyeja e vetme. Fatkeqësisht, nuk shohim këtë bashkëpunim nga Ukraina, pas grushtit të shtetit. Dua ta theksoj që ndodhi pikërisht pas grushtit të shtetit”, shtoi Putin.

Presidenti rus ka deklaruar disa herë që Ukraina nuk duhet të futet në NATO, për shkak se kjo sjell armatimet e aleancës në kufijtë e saj. Kërkesa e Putin ndaj Perëndimit për të mos e marrë parasysh kërkesën eventuale të Ukrainës, është refuzuar nga NATO. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos