Nga Dubai në Holandë, shkatërrohet superkarteli i kokainës, 49 të arrestuar

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2022, 12:56 | Kronikë

Tashmë Emiratet e Bashkuara Arabe nuk mund të jenë streha e qetë e shumë prej anëtarëve të grupeve kriminale, mes tyre dhe shqiptarë. Europol njofton se ka shkatërruar një superkartel që merrej me kontrabandën e lëndëve narkotike, kryesisht kokainës. Deri në këto momente, raportohen se janë arrestuar 49 persona, si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, mes të cilëve dhe 6 drejtues të lartë të organizatës që fshiheshin në Dubai.

“Narkotrafikantët të konsideruar si objektiva me rëndësi të lartë nga Europol ishin bashkuar për të formuar një organizatë shumë të njohur kriminale që kontrollonte rreth 1/3 e tregut të kokainës në Europë”, shkruhet në njoftimin e agjencisë.

Midis 8-19 Nëntorit, Europol kreu bastisje të koordinuara në të gjithë Europën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke synuar si "qendrën e komandës" së organizatës edhe infrastrukturën logjistike të trafikut të drogës. Arrestimet vijnë pas një pune të gjatë hetimore të zhvilluar paralelisht në Spanjë, Francë, Belgjikë, Holandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me mbështetjen e Europolit.

Një ndihmesë në zhvillimin e operacionit njëkohësisht në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe Francë dha dhe bashkëpunimi që Europol dhe Ministria e Brendshme e emirateve të Bashkuara arritën në shtator të këtij viti. Për herë të parë një oficer ndërlidhës i Ministrisë së brendshme të Dubait zyrtar I është bashkuar 250 oficerëve të tjerë nga mbi 50 vende dhe organizata të cilët kanë përfaqësi të përhershme në Europol. Mes të arrestuarve 4 prej tyre janë prangosur në Dubai të cilët sipas Europol janë me rëndësi të veçantë ndërsa ende nuk janë bërë të ditura identitetet e tyre.

Prej kohësh një pjesë e elementëve të theksuar kriminalë shqiptarë kanë gjetur strehim në Dubai ndërsa mungesa e marrëveshjeve të ekstradimit ka bërë që Shqipëria të mos i vendosë dot para përgjegjësisë penale. (A2 Televizion)

https://youtu.be/dOo1tRgnTik

A2 CNN Livestream

Latest Videos