“Skifterë” me uniformë, vidhnin qytetarët te Liqeni Artificial, gjykata le në burg dy policët

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2022, 11:03 | Kronikë
“Skifterë” me uniformë, vidhnin qytetarët te Liqeni

Në vend që të kujdesen për rendin e cenuan vet atë. Tani janë prapa hekurave të burgut. Saimir Muzikanti dhe Serxhoi Cani akuzohen për bashkëpunim në vjedhje dhe kanosje, për më tepër duke shpërdoruar detyrat respektive si efektiv i policisë bashkiake dhe Patrullës së Përgjithshme.

Të arrestuar të shtunën si autorë të dyshuar të grabitjes së konsumatorëve të kanabisit në kodrat e Liqenit Artificial ata do të hetohen në masën e sigurisë “arrest në burg”. Burime pranë gjykatës pohuan se në sallën e gjyqit, të dyshuarit nuk dhanë shpjegime. Duke pretenduar mungesë të provave, ata kërkuan deklarim të paligjshëm të arrestit dhe masa më të buta sigurie.

Pas arrestimit, 39-vjeçari Muzikanti ka pranuar se në disa raste bashkë me kolegun e tij te Komisariatit nr.1 iu kanë marrë vlera monetare personave që i kanë kallëzuar, ndërsa 22-vjeçari Cani ka mohuar këtë fakt. Njëkohësisht në seancë, avokati i Muzikantit ka pretenduar se klienti i tij është dhunuar në polici, dhunë për të cilën, sipas tij, kishte bërë kallëzim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Sipas prokurorisë, janë të paktën tre rastet e dokumentuara nga disa kallëzime të bëra se dy efektivët në bashkëpunim me njëri-tjetrin iu kanë marrë “viktimave” të tyre shuma nga 10 në 50 mijë lekë të rinj. “Shënjestra” e tyre kanë qenë kryesisht konsumatorët e kanabisit, të cilët pasi iu inskenonin një situatë arrestimi, i lejonin të shkonin në këmbim të marrjes së parave që kishin me vete. Në një nga rastet, efektivi 22-vjeçar dyshohet se i ka vënë pistoletën e shërbimit në bark një prej personave që i ka marrë para. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/26/arrestohen-dy-police-grabiten-dy-qytetare-te-liqeni/

A2 CNN Livestream

Latest Videos