Nga hakmarrja te krimet banale, vrasjet që vijojnë të tronditin publikun

Nga A2 CNN
6 Qershor 2023, 15:32 | Kronikë
Nga hakmarrja te krimet banale, vrasjet që vijojnë të tronditin

Periudha zgjedhore disamujore u shoqërua me një seri ngjarjesh kriminale, ndonëse jo të lidhura me të. Ngjarjet nuk munguan as pas zgjedhjeve duke bërë që lajmet politike të garojnë kokë më kokë me ato të vrasjeve dhe krimeve të tjera.

Ndërkohë vetëm për këtë vit numërohen 11 vrasje, dy prej të cilave mbeten pa autor. Krimi që tronditi Kavajën ndodhi për arsye gjakmarrje.

Larja e gjakut u rikthye dy muaj pas 29 marsit, kur konflikti banal i mori jetën dy personave Armand Gosa dhe Altin Rexha të cilët u qëlluan mes tyre.

Habib Rexha e kishte planifikuar hakmarrjen për vëllanë që në muajin mars, ndërsa qëlloi për vdekje 48-vjeçarin Arian Gosën, vëllain e Armand Gosës.

Ai ishte kthyer nga Italia që në fund të marsit, periudhë kur edhe vëllai i tij Altin Rexha mbeti ivrarë dhe nuk u largua deri më 24 maj kur mori hakun e të vëllait.

Autori veproi i vetëm, e shenjën e hakmarrjes ia ktheu në të njëjtën mënyrë fisit Gosa.

Ashtu sikurse Arjani u ekzekutua në sy të të atit, edhe Altin Rexha kishte pasur të birin përdore kur Edmond Gosa, e qëlloi me armë dhe e la të vdekur.

Policia nuk arriti ta ndalonte por ishte vetë Rexha ai që u vetëdorëzua disa ditë pas krimit.

Dan Hutra i cili ekzekutoi tre gra dhe kishte në plan që serinë e vrasjeve ta vijonte më tej, nuk u ndalua dot nga policia fill pasi kreu vrasjet në zonën e Kamzës. Edhe pse vepronte i vetëm ai arriti të lëvizte i lirë në Tiranë me një kallashnikov me vete dhe pas më shumë se 5 orësh u vetë dorëzua në afërsi të landfillit të Sharrës.

Të shtënat në drejtim të një lokali në zonën e Don Boskos në mars të këtij viti ndonëse ishin drejtuar për pronarin e biznesit Fation Murati i morën jetën një të pafajshmeje.

Mimoza Paja punonte në biznesin e të shpallurit në kërkim Murati ndërsa Policia ende nuk ka arritur të identifikojë autorët apo motivin e ngjarjes.

Një muaj më pas sherri banal i mori jetën një të riu në Tiranë. Stiven Toshkëzi u qëllua për vdekje me thikë pas sherrit me dy të rinj në afërsi të shkollës së mesme Partizani.

Edhe për këtë ngjarje policia nuk arriti të kapë autorët por të dyta Enzi Maze dhe Aksel Hoxhaj u vetëdorëzuan.

Vrasja e Ardian Nikulaj në Lezhë një tjetër ngjarje e rëndë u importua nga Anglia sërish për arsye gjakmarrjeje, por fatmirësisht kamerat e sigurisë çuan policinë në zbardhjen e saj edhe pse asnjë nga organizatorët nuk është ekstraduar.

Autori, një i ri portugez ende nuk është arrestuar. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/04/22/vrasja-e-stiven-toshkezit-lihet-ne-burg-autori-i-dyshuar-axel-hoxhaj/
https://a2news.com/2023/03/14/skema-e-atentatit-autoret-erdhen-nga-shinat-e-trenit-kishin-dijeni-per-kameren-pak-me-tej/
https://a2news.com/2023/05/03/bbc-shkruan-per-vrasjen-e-ardian-nikulajt-ne-shengjin/

A2 CNN Livestream

Latest Videos