Nga Meta te Rama, urimet e liderëve politikë për “7 Mars”

Nga A2 CNN
7 Mars 2020, 10:14 | Aktualitet

Presidenti Ilir Meta ka uruar mësuesit në ditën e tyre. “Gëzuar 7 marsin, Ditën e Mësuesit! Gëzuar këtë ditë nderimi të madh për çdo mësues, pedagog dhe profesor shqiptar, dhe shumë suksese në misionin fisnik të mëkimit të dijes, vlerave qytetare, atdhetare e patriotike!

Një urim dhe një falenderim të veçantë kam sot për mësuesen time të parë Lenin, mësueset e mia tek "Kongresi i Lushnjës", "Fan Noli" dhe "Sami Frashëri", Kadrie Dibra, Kasiani Nikolla, Afërdita Saraçi, Dolorez Cipo, Mirjana Hoxhasi, Nafie Ciu, Ana Papa, Fatmira Kocani, Enis Terhati, Edmond Gega e shumë të tjerë, si dhe për të gjithë profesorët e pedagogët e mi të dashur të cilët i kujtoj me shumë respekt dhe nostalgji. Nderim përjetë dhe mirënjohje gjeneratave të mësuesve shqiptarë që me sakrifica sublime u vunë në ballë të lëvizjeve kombëtare, jo vetëm për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, por edhe për demokratizimin e saj, duke i prirë zhvillimit, emancipimit dhe demokratizimit të vendit!”

Më tej, Meta shkruan se mësues e pedagogë janë në ballë të “Pranverës Kuqezi”. “Faleminderit edhe të gjithë mësuesve, pedagogëve e profesorëve të nderuar që së bashku me ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë janë vënë sot në ballë të PRANVERËS KUQEZI! Lavdi përjetë atyre që dhanë jetën për gjuhën tonë të shenjtë! Të mos harrojmë kurrë amanetin e Petro Nini Luarasit: "Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip!"

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama uroi mësuesit, përmes një shprehjeje të filozofit kinez, Konfucit: "Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë".

Nuk mundoi edhe urimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. “Është kaq e natyrshme që çdo 7 mars sjell ndër mendje mësuesen e klasës së parë. Dhe po kështu të çdo mësuesi dhe pedagogu që ka qenë pjesë e jetës dhe e dijes në çdo hap që kemi hedhur si nxënës dhe studentë. Ndaj sot dua t'ju uroj nga zemra festën të gjithë arsimtarëve në Shqipëri, të gjithë mësuesve që përtej çdo vështirësie janë përçuesit e përkushtuar dhe të pazëvendësueshëm të dijes tek fëmijët dhe të rinjtë tanë. Për lodhjen e përditshme, kushtet shumë herë të pafavorshme të mësimdhënies dhe dinjitetit njerëzor, ata meritojnë të festojnë sot 7 marsin me urimin, shpresën dhe premtimin se ditë më të mira do të vinë për arsimtarët tanë”, mbyllet urimi i Bashës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos