
Rrjedha e historisë nuk mund të ndalet. Kështu ka deklaruar lideri i shtetit kinez Xi Jinping, ndërsa kërkoi "ribashkim" të plotë të Tajvanit me atdheun dhe u zotua ta bënte këtë në mënyrë paqësore, pa përmendur përdorimin e forcës. Kina e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e vet, pavarësisht refuzimit të fortë të këtij pretendimi nga Taipei.
"Bashkatdhetarët në të dyja anët e Ngushticës së Tajvanit dhe të gjithë kinezët brenda dhe jashtë vendit duhet të bashkohen për t'iu kundërvënë forcave separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" dhe të punojnë së bashku për zhvillimin paqësor të marrëdhënieve dhe ribashkimin e plotë të atdheut. Rrjedha e historisë nuk mund të ndalet. Ribashkimi i plotë i atdheut duhet të realizohet, dhe do të realizohet. Zgjidhja e çështjes së Tajvanit dhe arritja e ribashkimit të plotë të atdheut është një mision historik i palëkundur i Partisë Komuniste të Kinës, një aspiratë e përbashkët e të gjithë bijve dhe bijave kineze dhe një kërkesë thelbësore për rigjallërimin e madh të kombit kinez. Ne do t'i shqyrtojmë plotësisht realitetet e Tajvanit dhe do t'i përshtasim plotësisht interesat dhe ndjenjat e bashkatdhetarëve tanë në Tajvan. Megjithatë, nuk do të lëmë absolutisht asnjë hapësirë për aktivitete separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" në asnjë formë. E ardhmja e Tajvanit qëndron në ribashkimin kombëtar." (A2 Televizion)