
Pas disa fundjavave në izolim, kjo e shtunë dhe e diel, do të jetë më e lirë. Kryeministri Rama ka bërë të ditur se të shtunën dhe të dielën, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10:00, ndërsa të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare.
Përveç pensionistëve, do të lejohen të dalin prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç, por nga ora 11:00 deri në orën 17:30.
“Të shtunën 2 maj do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17:30, të dielën të gjitha mbyllur. Gjatë së shtunës 2 maj dhe të dielës 3 maj, do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private. “Kujdes! Nga sjellja e duhur në distancimin social dhe zbatimi i rregullës bazë të mosgrumbullimit jashtë qelizës familjare gjatë fashës orare të lëvizjes këtë fundjavë, varet ecuria e mëtejshme pozitive e kësaj lufte deri këtu të zhvilluar shkëlqyeshëm, po edhe vendimmarrja jonë për më tej”, ka njoftuar kryeministri. (A2 Televizion)