Sporti ukrainas vazhdon të mbrohet nga pushtimi rus, jo vetëm me mesazhe në evente të ndryshme sportive, por edhe në linjën e parë të luftës.
Rasti më i ri është ai i tenistit Alexander Dolgopolov, i cili është kthyer në Kiev për të kontribuar në ushtrinë e vendit të tij.
“Kur nisi lufta, unë isha në Turqi. Aty nisa të stërvitesha, pasi kisha fatin që njihja një ushtar të vjetër, i cili më mësoi armët. U stërvita një javë, e di që nuk jam bërë Rambo për 7 ditë, por i përdor armët mirë dhe mund të godas në kokë, 3 herë në 5 tentativa, nga 25 metra”, tregon tenisti në një postim në Instagram.
Më tej, ai premton se do të qëndrojë në Kiev derisa Ukraina të dalë fitimtare, ndërsa thekson se nuk e ka problem të vrasë ushtarët rusë: “Nuk e vras mendjen fare për faktin që mund t’i marr dikujt jetën, pas asaj që ka ndodhur në vendin tim”.
33-vjeçari ka arritur vendin e 13 në renditjen botërore të tenisit, në vitin 2013, dhe ka fituar 3 tituj ATP në karrierë. Gjithashtu, ka arritur të mposhtë në dy raste spanjollin Rafael Nadal, tenistin me më shumë tituj Grand Slam në histori. (A2 Televizion)