
Taekwondo është një nga ato sportet jo shumë të përhapura në Shqipëri, por që kohët e fundit po lulëzon me ritme të shpejta. Historia e Taekwondo në vendit tonë, filloi në vitet 1995 kur në Shqipëri nuk kishte vetëm ndryshime në fushën politike, por edhe në atë sportive.
Vajza e djem të rinj që ishin kuriozë të mësonin një sport të panjohur më parë, ndërsa me kalimin e kohës ëndrra ishte e njëjtë, "Të përfaqësonin ngjyrat kuqezi në evente ndërkombëtare".
Sot pas afro 27 vitesh, ata ia kanë dalë! Ia kanë dalë të rrëmbejnë medalje e të ngrenë lart flamurin shqiptar në sportin e panjohur të Taekwondo e për herë të parë në histori, Shqipëria priti një nga eventet më të rëndësishme të Taekwondo siç është “President Cup”, aktivitet zyrtar që ndihmon çdo sportist me pikë, për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike të Paris 2024.
Mbi 2000 sportist nga 50 vende të ndryshme qëndruan në tokën shqiptare për rreth 2 javë për të sfiduar njëri-tjetrin në sportin e Taekwondo. Një organizim deri në detaje që nga sallat për testet e Covid-it deri te regjistrimet e sportisteve të rinj, dhomat e ndihmës së shpejtë po deri te stërvitja në kushte europiane për çdo sportist.
“Top Gym Sport”, shoqata e Taekwondo si dhe me mbështetjen e Federatës shqiptare, arritën që në kohë reale të organizonin gjithçka deri në detajet më të vogla. Përfaqësueset më të mira në botë si Rusia, Anglia, Italia, Franca apo Gjermania sfiduan njëra-tjetrën në duele të forta dhe shumë luftarake deri në fund.
Nga ana tjetër, skuadra kuqezi u përfaqësua me 17 sportistë ku mes tyre u veçua Mario Noka, 22-vjeçari me ambicie të mëdha për të ardhmen
Noka është kampion kombëtar dhe ballkanik në të njëjtën kohë, ndërsa premton rezultate pozitive me ngjyrat kuqezi. Nga ana tjetër, një nga trajnerët e kombëtares, Xhersi Kurti tregoi për A2 CNN, se niveli i Taekwondo po rritet çdo ditë, ndërsa theksoi se pritshmëritë nga ky event janë maksimal.
Kurti foli dhe në rolin e organizatorit kur tregoi se evente të përmasave të tilla nuk janë të lehta, ndërsa tregoi mbështetjen minimale nga institucionet.
Nga ana tjetër, Federata Botërore dërgoi dhe delegatët e saj për mbarëvajtjen e gjithë aktivitetit. Uzman Dildar ishte njëri prej tyre, i cili vlerësoi me fjalët më të mira punën që Shqipëria ka bërë për këtë event.
Edhe sportistët më famë botërorë si britanikja Bianka Walkden apo turku Servet Tazegul, thanë se i ka pëlqyer Shqipëria dhe mikpritja që iu është bërë që nga dita e parë.
Në garë ishin dhe dy kampionet e tjera olimpike si Jade Jones apo Lauren Williams, 2 sportiste britanike që nuk njohën rivale në sportin e Taekwondo dhe mundën çdo rival. Jones e shpallur kampione olimpike në vitin 2012 dhe 2016 në peshën 57 kg, kërkon që të vazhdojë ëndrrën e saj, por këtë herë në Paris, aty ku e presin të tjera sfida të vështira.
Në këtë event, u prezantua gjithashtu dhe disiplina e Parataekwondo për personat me aftësi të kufizuar, si dhe Pumsi Taeknwondo për ata që konsiderohen kategori e veçantë.
Ky është edicioni i 7 i “President Cup” në historinë e Taekwondo dhe i pari që mbahet në Shqipëri, një test i mirë për vendin tonë që mund të shërbejë shumë dhe për të ardhmen e evente të tjera të rëndësishme. (A2 Televizion)