
Harvey Weinstein, femrat që e kanë akuzuar për ngacmime seksuale, anëtarët e ish-studios me të cilën punonte producenti dhe prokurori i Nju Jorkut kanë arritur një marrëveshje prej 44 milionë dollarësh për të zgjidhur akuzat e ngritura ndaj tij dhe për të kompensuar viktimat e producentit hollivudian.
Lajmi u publikua nga prestigjozja amerikane “Wall Street Journal”. Marrëveshja do të zgjidhë “ngërçin” për të drejtat civile të të gjitha viktimave të Weinstein, të publikuara zyrtarisht njëra pas tjetrës në 2018. Por, sipas gazetës, marrëveshja e propozuar dhe arritur paraprakisht mes palëve nuk përfshin zgjidhjen e akuzave kriminale kundër Weinstein në Manhatan, të cilat përfshijnë përdhunimin dhe krime të tjera seksuale të kryera nga 67-vjeçari.
Gjyqi për këto akuza është shtyrë për në muajin shtator. Përfaqësuesi ligjor i Harvey Weinstein dhe kompanisë Weinstein ende nuk është përgjigjur për këtë çështje, por vetë producenti i ka mohuar prej muajsh akuzat, duke deklaruar se kurrë gjatë karrierës së tij nuk ka kryer marrëdhënie me ndonjë nga femrat që e akuzojnë.
Weinstein, i cili ka qenë një prej producentëve më të famshëm në Hollivud, pas realizimit të filmave të vlerësuar si "Shakespeare in Love," "Pulp Fiction" dhe "The King's Speech”, është akuzuar publikisht nga më shumë se 70 femra, kryesisht aktore të famshme dhe gra në karrierë, për sjellje të pahijshme dhe ngacmime seksuale, 20 apo 30 vite më parë. Pas ngritjes së këtyre akuzave, kompania e tij e pushoi nga puna, ndërsa akademia e çmimeve Oscar e përjashtoi.
Çështja e ngritur ndaj tij nxiti edhe lëvizjen “MeToo”, duke ndihmuar femrat në mbarë botën që të akuzojnë drejtpërdrejtë meshkuj të fuqishëm në botën e showbiz-it, politikë apo fusha të tjera për ngacmime seksuale. (A2 Televizion)