
Rikthehen hakmarrjet e vjetra në qytetin bregdetar të Vlorës, ku u shënua një atentat me 2 të vrarë dhe një të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Ujit të Ftohtë”, kur atentatorët qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të një automjeti, ku ndodheshin 3 persona. I vrarë mbeti Aurest Rexho, pronar i një lokali në lagjen e “Çoles”, cili është edhe kunati i shënjestrës së atentatit, 42-vjeçarit Armando Sulejmani, i njohur ndryshe si Çipuri.
I vrarë mbeti edhe Arjan Hasani, ndërsa policia thotë se në drejtim të automjetit ku ndodheshin 3 personat, ka qenë njëri prej të vrarëve.
Ai ka kthyer automjetin drejt oborrit të një banese, por atentatorët arritën të qëllonin me kallashnikov drejt tyre. Në fshatin Sherristë të Vlorës, policia gjeti 3 kallashnikovë si dhe një automjet të djegur.
Kjo makinë dyshohet se është përdorur nga autorët, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Objektivi i atentatit dyshohet se ka qenë Armando Sulejmani, i cili është edhe anëtar i bandës së Gaxhait. Para 3 vitesh, ai i shpëtoi një atentati, sapo kishte dalë nga burgu, ku ishte dënuar me 20 vite burg për vrasje. Mendohet se ai është autor i një plagosjeje në vitin 2017.
Policia thotë se shkak i këtij atentati është hakmarrja dhe larja e hesapeve mes bandave që luftojnë për zotërimin e zonave të trafikut të narkotikëve.
(A2 Televizion)