Qarku i Kukësit vijon të jetë i mbërthyer nga moti i ftohtë dhe acari, çka ka sjellë edhe ngrica e akull në rrugë. Si pasojë e uljes së temperaturave akset rrugore nacionale dhe rurale në segmente të veçanta janë përfshirë nga ngricat ndërsa po punohet për kriposjen e atyre segmenteve ku paraqiten problematika.
Për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dëborës rekomandohet kalimi me zinxhirë, pasi në disa zona ka edhe ngrica. Drejtuesit e automjeteve duhet të reduktojnë shpejtësinë si edhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë. Edhe në rrugën e kombit nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve. Më shume se 10 borëpastruese u janë të angazhuar për pastrimin e borës nga rruga dhe hedhjen e kripës, nga tuneli i Kalimashit drejt Morinit.
Furnizimi me energji elektrike në përgjithësi është normal në të gjithë qarkun Kukës. Por ende disa fshatra kanë probleme me furnizimin me energji elektrike. Pa energji aktualisht janë fshatrat Berbat, Pac, Salcë dhe Hysenukaj nga bashkia Tropojë. Pa energji në Bashkinë Kukës, janë Njësitë Administrative Bushtricë, Gryk –Çaj dhe Ujmisht. Punonjës të OSHEE Kukës dhe Tropojë, prej ditësh dhe në kushte të vështira të motit dhe terrenit kanë punuar dhe po punojnë në këto zona për të zëvendësuar shtyllat e dëmtuara, linjat dhe izolatorët. (A2 Televizion)