
Presidenti Meta ka thirrur shqiptarët në një tubim në Qytetin Studenti me 8 dhjetor, në Ditën e Rinisë. Njoftimi u bë publik nga zëdhënësi i tij në mediat sociale, i cili saktëson se ky organizim i kreut të Shtetit bëhet pikërisht në vendin ku nisi Lëvizja Studentore e viteve '90.
Zëdhënësi i Metës flet për një tubim mbarëpopullor, përmes të cilit Presidenti synon Nisjen e një Dialogu me Shqipërinë.
“Në 8 dhjetor 2019, në DITËN E RINISË, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta organizon në Sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti, aty ku dhe nisi Lëvizja Studentore e viteve ’90, një tubim mbarëpopullor që synon Nisjen e një Dialogu me Shqipërinë! SHQIPËRIA E PARA! “, shkruhet në postimin e Tedi Blushit.
Në një tjetër postim në Facebook, zëdhënësi i Presidentin sqaron nisja e Dialogut të Presidentit Meta me Shqipërinë ka për qëllim mbrojtjen e Demokracisë dhe Kushtetutës.
“Dialogun e Presidentit META me shqiptarët nuk mund ta ndalë askush, deri në zbatimin e detyrimit kushtetues për Referendumet.
“Jemi të vendosur deri në fund: Demokracinë nuk e japim me koncension! Tani vetëm demokraci direkte! Tani vetëm referendum! Shqipëria e para! Shqiptarët mbi çdo gjë”, shkruan Blushi në postimin e radhës.
Ditën e premte, Presidenti Ilir Meta, deklaroi se “shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre në mbrojtje të Kushtetutës” dhe përmes referendumit të mbrojnë Republikën.
“Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është betuar që diktatura nuk do të përsëritet kurrë më. Do të qëndroj kryegarant i mbrojtjes së Kushtetutës. Nuk drejtohet Shqipëria me rezolutë, por me Kushtetutë. Shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë në mbrojtje të Kushtetutës. Përmes referendumit të mbrojmë Republikën. Të vendosë populli nëse pranon të kthehet në diktaturë apo të mbrojë demokracinë. Referendumi është demokracia direkte dhe demokracia në veprim”, u shpreh Meta.
Ndërsa më vonë, me anë të një postimi në Facebook, kreu i shtetit ka bërë të ditur se të hënën do të propozojë ide konkrete për Referendumin. (A2 Televizion)