Ngrohja globale, raporti: Europa, kontinenti që po nxehet më shpejt

Nga A2 CNN
20 Qershor 2023, 12:23 | Bota
Ngrohja globale, raporti: Europa, kontinenti që po nxehet më shpejt

Evropa duhet të përgatitet për më shumë valë vdekjeprurëse të të nxehtit, të nxitura nga ndryshimet klimatike. Është ky paralajmërimi i një raporti të përpiluar nga Organizata Botërore e Metorologjisë dhe Shërbimi Evropian për Klimën, i publikuar të hënën. Sipas shkencëtarëve, ngrohja globale po avancon më shpejt nga sa ishte parashikuar në kontinentin e vjetër, me temperaturën mesatare që rezulton të jetë 2.3 gradë më e lartë krahasuar me epokën paraindustriale në shekullin e 19.

Thatësia, temperaturat rekorde mbi sipërfaqe të detit dhe shkrirja e pashembullt e akullnajave, janë në mesin e pasojave me të cilat po përballet bota, si pasojë e ngrohjes globale. Evropa, e cila është ngrohur dyfish më shumë sesa mesatarja globale prej vitit 1980, ka regjistruar rekord të temperaturave vitin e kaluar.

Franca, Gjermania, Italia, Portugalia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, shënuan vitin e shkuar, verën më të nxehtë ndonjëherë në histori. Në raport është thënë se më rëndë do të goditen vendet e varfra, të cilat kanë bërë pak për t’i luftuar emetimet e karbonit, të cilat e rrisin temperaturën.

Sipas raportit, i nxehti ekstrem u ka marrë jetën më shumë 16.000 njerëzve vitin e kaluar, ndërsa vërshimet dhe stuhitë kanë shkaktuar dëme në vlerë të 2 miliardë dollarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos