
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani, këtë të shtunë.
“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Si President, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur! U prehsh ne paqe President Nishani!”, tha Nikolla përmes një deklarate për mediat.
“E dhimbshme ndarja nga jeta e Presidentit Bujar Nishani, me të cilin pata mundësi të punoj më nga afër gjatë shërbimit tim si Ministër i Punëve të Jashtme. Ngushëllime të sinqerta familjes Nishani dhe të afërmve të tij! Prehu në paqe zoti President!”, shkroi ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.
“Pusho në paqe President Nishani! I lehtë dheu!”, ishte reagimi i shkurtër i ministres për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali. (A2 Televizion)