
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha se bazuar në rregulloren e institucionit që drejton, Sali Berisha do të regjistrohet zyrtarisht si deputet pa grup parlamentar, pas vendimit të Partisë Demokratike për ta përjashtuar nga grupi i saj.
“Rregullorja e kuvendit thotë që çdo deputet e deklaron me shkrim se në cilin grup do të bëjë pjesë. Por më pas është vendimmarrja e grupit parlamentar që bën listimin dhe deklarimin e anëtarëve të grupit. Dhe grupi parlamentar i PD-së e ka nxjerrë jashtë deputetin Sali Berisha. Dhe sot, ai funksionon si deputet pa grup parlamentar. Nuk është vetëm, janë 8 deputetë që janë pa grup parlamentar”, tha Nikolla në një konferencë për mediat.
Berisha u përjashtua me vendim të Lulzim Bashës nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, pas kërkesës së ambasadores amerikane Yuri Kim, bazuar në shpalljen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të ish-kryetarit të PD-së dhe familjarëve të tij. (A2 Televizion)