
Holanda dhe Kroacia duelojnë për biletën e parë në finalen e Nations League. Në paraqitjen e dytë në Final Four dhe tashmë si vend organizator, portokallinjtë shpresojnë që të ecin më mirë se herën e kaluar, kur humbën 1-0 në finalen me Portugalinë, në sezonin 2018-2019 që ishte edicioni hapës i eventit.
Skuadra e drejtuar Louis van Gaal regjistroi ecuri mbresëlënëse në grupe, ku nuk humbi asnjë nga ndeshjet kundër Uellsit, Belgjikës dhe Portugalisë. Tashmë në stolin e përfaqësueses është Ronald Koeman, i cili ka shansin të bëhet trajneri i parë që e udhëheq Holandën drejt një trofeu prej vitit 1988.
Edhe pse kanë avantazhin se luajnë në shtëpi, misioni i holandezëve nuk do të jetë aspak i lehtë. Kroacia paraqitet në këtë event si gjysmëfinaliste e Kupës së Botës. Niveli i vështirësisë rritet edhe nga ambicia e ballkanasve, që të udhëhequr nga Luka Modric kanë shansin e fundit të fitojnë trofe madhor me brezin e artë.
Sfida në impiantin e famshëm të Feyenoord, “De Kuip” mund ta ndihmojë Holandën që të rrisë ecurinë fantastike në ndeshjet përballë publikut të saj. Prej fundit të vitit 2020 ata nuk kanë humbur asnjë takim në shtëpi, duke fituar 8 dhe barazuar vetëm një.
Ndeshja e mbrëmjes së sotme në 20:45 do të jetë e treta në histori ndërmjet Holandës dhe Kroacisë. Secila nga skuadrat regjistron nga një fitore në përballjet e mëparshme, por kjo gjysmëfinale në Nations League mund të jetë sfida më e rëndësishme për objektivat e tyre. (A2 Televizion)