Objektivi Europë, Zoran Zekiç prezantohet si trajneri i ri i Partizanit

Nga A2 CNN
14 Qershor 2023, 13:03 | Futboll
Objektivi Europë, Zoran Zekiç prezantohet si trajneri i ri i

Objektivi është të bëj gati Partizani  për Europë! Kështu ka deklaruar trajneri i ri i të kuqve, Zoran Zekiç në prezantimin e tij zyrtar si timonieri i ri i skuadrës.

Mes të tjerash , 49-vjeçari foli pse zgjodhi ekipin e demave.

“Pas disa ditësh do të njohim kundërshtarin në Champions dhe kemi 20 ditë kohe që të analizojmë. Nuk e kam ende grupin e plotë. Por pa justifikime, duhet të bëjmë gjithçka që të përgatitemi për atë ndeshje. Asgjë nuk është e pamundur në futboll, por duhet kohë për ta arritur. Unë nuk zgjodha Partizanin, më zgjodhi Partizani mua. Për mua ishte një sfidë e madhe, kam punuar në Moldavi, në Hungari, në Kroaci dhe tani kisha nevojë për një sfidë të re”, tregon Zekiç.

Tekniku kroat bëri një koment dhe për largimin e Kolelës.

“Shpeshherë jeta nuk është kaq e thjeshtë, unë u largova nga Sheriff, ku fitova dy tituj e dy Kupa, luajta e fitova 50 ndeshje në atë periudhë. Jam i lumtur që po marr skuadrën kampione, dua të falënderoi Kolelen dhe stafin e tij, por jeta e një trajneri kështu është”, shtoi kroati.

Edhe drejtori i ri i Partizanit, Arbër Abilaliaj, foli për planet e skuadrës për sezonin e ri. Ai theksoi se dëshira është që të ruhet grupi aktual, por pa përjashtuar mundësinë e 2 apo 3 afrimeve.

“Kemi synim që grupin aktual ta ruajmë maksimalisht dhe kjo gjë do të bëhet, fokusi është për të ruajtur grupin. Do të ketë 2-3 përforcime që do t’i bëjnë mirë ekipit dhe konkurrenca i rrit. Nuk mund të them ende sa do të marrim apo kë, se jemi ende në negociata, por mund të themi që projekti është i qartë dhe ka nisur para 1 viti dhe i cili është të ulim deri diku nivelin e moshës mesatare në ekip duke bërë të mundur që t’i rrisim në cilësi”, u shpreh Abilaliaj.

Partizani do të njohë kundërshtarin e Champions League në datën 20 qershor, ku do të hidhet dhe shorti në Nion të Zvicrës. Ndeshjet e para do të luhen në 11 korrik ndërsa ato të kthimit në 18 korrik.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos