
Prej orës 07:00 të mëngjesit ka nisur procesi i votimit në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në këtë garë zgjedhore janë regjistruar 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare, ndërsa 1052 kandidatë synojnë për 120 vendet e parlamentit të ri.
Procesi ka nisur normalisht pothuajse në 2382 qendrat e votimit, ndërkohë që 1.7 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.
E para që votoi ishte kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka e cila lëshoi dhe një apel drejtuar qytetarëve, ku iu kërkoi të dalin masivisht në zgjedhje.
Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Policia e Kosovës ka marrë një plan masash për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërkohë që 88 prokurorë janë në gatishmëri për çdo problematikë të mundshme. (A2 Televizion)