
“Travel Fest Albania”, i pari i llojit të tij në Shqipëri, nis të hënën maratonën filmike të edicionit të dytë dhe energjia e mirë e superskuadrës së festivalit premton emocione të forta për të gjithë filmdashësit.
Nga data 3 deri më 7 korrik, Tirana, Durrësi dhe Gjirokastra do të mirëpresin më shumë se 50 autorë të huaj, me gjuhën universale të filmit dhe fotografisë.
Pandeli Çeço, themelues dhe drejtor i “Travel Fest Albania”, shprehet: “Këtë vit kemi një zgjerim të aktiviteteve, kemi më tepër filma, më tepër aktorë dhe e kemi zgjeruar gjeografikisht. Kemi menduar që këtë vit të shfaqim filma edhe në Durrës e Gjirokastër”.
Kryefjala e produksioneve do të jetë natyra, mjedisi, turizmi, trashëgimia dhe historia... Praktikisht, gjithçka që bën bashkë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Gentian Kurti, drejtor artistik i “Travel Fest Albania” thekson: “Filmat e përzgjedhur do të shfaqen në dy kinema në Tiranë: në Muzeun Kombëtar paradite dhe në Amfiteatrin e Liqenit, pasdite. Në Gjirokastër, filmat do të kenë lidhje me trashëgiminë dhe turizmin kulturor, ndërsa në Durrës do të jenë filma që kanë lidhje me detin dhe jetën e egër”.
“Travel Fest Albania” është një eksperiencë sa fantastike, po aq edhe sfiduese, edhe për vetë anëtarët e jurisë. Arsyeja? Sipas përfaqësueses së jurisë së festivalit: cilësia e jashtëzakonshme dhe origjinaliteti me të cilën vijnë autorët e huaj. (A2 Televizion)