Rama pranon ftesën e Kurtit për firmosjen e 13 marrëveshjeve: Pres të takohemi pasi të heqë merakun

Nga A2 CNN
6 Korrik 2023, 09:20 | Kosova
Rama pranon ftesën e Kurtit për firmosjen e 13 marrëveshjeve:

Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për firmosjen e 13 marrëveshjeve mes dy qeverive, pas shtyrjes që iu bë mbledhjes së dy qeverive në pranverë.

Kryeministri bëri të ditur mëngjesin e së enjtes se 13 marrëveshjet janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.

Me kundërfirmosjen nga ana e palës së Kosovës, ato hyjnë në fuqi menjëherë.

Tashmë që pranoi kushtin e vënë nga Kurti, Rama shprehet se shpreson që homologu i tij në Kosovë do ta pranojë ftesën për një takim bilateral.

Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot në mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare, ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite.

Edi Rama, Twitter

Kujtojmë se, në një konferencë për mediat të mbajtur të mërkurën, kryeministri Albin Kurti u tregua i prerë rreth mundësisë së një takimi kokë më kokë me Ramën, në kuadër të vizitës së këtij të fundit në Prishtinë.

Shefi i qeverisë së Kosovës u shpreh se më urgjente për vendin është firmosja e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë, pasi me Ramën, siç tha ai, ka komunikim të vazhdueshëm.

Ndërkohë, nga agjenda e bërë publike, deri më tani të konfirmuara janë takimet bilaterale të kryeministrit Rama me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. (A2 Televizion)

https://twitter.com/ediramaal/status/1676852901866512384?s=20
https://a2news.com/2023/07/05/rama-neser-ne-prishtine-kurti-i-kam-kerkuar-te-bejme-mbledhjen-e-dy-qeverive-takim-bilateral-ska/
https://a2news.com/2023/07/06/zbardhet-agjenda-e-turit-dyditor-te-rames-ne-rajon-ne-pritje-konfirmimi-per-takim-me-kurtin/

A2 CNN Livestream

Latest Videos