
KFOR reagon pas alarmit të lëshuar për kontrabandimin e armëve të zjarrit nga Serbia për në Kosovë.
Në një përgjigje pas shqetësimeve të ngritura nga deputetja britanike, Alicia Kearns, misioni paqeruajtës sqaroi se janë bërë hetime lidhur me pretendimin e shpërndarjes së armëve nga një ambulancë me targa serbe në veri të Kosovës apo lidhur me magazinimin e tyre në kishat ortodokse.
“Nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me autoambulanca për në kishat ortodokse”, lexohet në deklaratën e KFOR-it.
Misioni paqeruajtës shton se hetimet e mëtejshme janë përgjegjësi e organizatave të sigurisë së Kosovës, që vendosin për sundimin e ligjit. Megjithatë media “The Geopost” që lufton propagandën dhe dezinformimin në Ballkanin Perëndimor ka publikuar një video duke pretenduar se kontrabandimi i armëve ka ndodhur.
“Ambulanca e Serbisë në veri të Kosovës transportoi armë në ditën kur një ndërtesë zgjedhore u sulmua me bombë në Mitrovicë. Videoja tregon anëtarë të Mbrojtjes Civile, të drejtuar nga Llune, tashmë i burgosur”, shkruhet në tekstin shoqërues të pamjeve filmike. (A2 Televizion)