Nisja e shkollave, Alban Ylli: Vendim i guximshëm, sot u diskutua fillimi i universiteteve

Nga A2 CNN
17 Shtator 2020, 19:52 | Aktualitet
Nisja e shkollave, Alban Ylli: Vendim i guximshëm, sot u diskutua fillimi i

Pandemia i preku të gjithë, shëndetësinë, arsimin, ekonominë, institucionet shtetërore e të tjera. Për shkak të pandemisë u përshtat çdo veprimtari, përfshirë edhe atë të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, ku bën pjesë edhe Banka Botërore. Në raportin e fundit të saj për shëndetësinë dhe arsimin, banka sugjeron qeverinë shqiptare dhe institucionet që të ulin humbjet në procesin e të mësuarit dhe mësimi të ketë vazhdimësi në mënyrë të barabartë për të gjithë nxënësit.

Për të folur për raportin e Bankës Botërore, nisjen e shkollave dhe situatën e pandemisë ishte i ftuar në A2 epidemiologu Alban Ylli. “Raporti i Bankës Botërore e nxjerr Shqipërinë në një përparim në fushën e arsimit, por me disa hapa të mirë pozitivë edhe në shëndetësi. Nga pikëpamja e shëndetësisë kemi një indikator të mirë mbijetesës 15-60 vjeç, por ai që ka dhënë kontributin më të madh është indeksi i ushqyerjes së mirë në fëmijëri. Ne jemi duke reaguar në mënyrën e drejtë, shkollat janë duke u përpjekur të kapin kohën e humbur. Duhet të investojmë shumë më tepër për kapitalin njerëzor në Shqipëri, por nga raporti i fundit ka shpresë. Duhet të vijojmë rrugën e nisur”.

Sa i përket nisjes së shkollës dhe pandemisë, për Yllin vendimi ka qenë i guximshëm. “Unë mendoj se Shqipëria është duke bërë atë që duhet. Shkollat janë hapur. Ka disa vështirësi. Është java e parë. Diku ka pasur edhe fërkime, diku ka pasur edhe tension. Unë shpresoj që gradualisht, si prindërit dhe autoritetet, do të arrijnë të lëmojnë të gjithë fërkimet e krijuara. Shpresoj që muajt në vijim do të jenë muaj efektiv të mësimdhënies. Sot kemi diskutuar edhe fillimet në universitete. Sërish ka debate në lidhje me balancën e riskut shëndetësor, e volumit të punës dhe e mbrojtjes së kapitalit njerëzor nëpërmjet cilësisë së arsimimit. Besoj se po gjejmë balancat e duhura për të mos e humbur këtë vit. Ne kemi marrë një vendim të guximshëm dhe shpresoj që risku të jetë minimal për të mos pasur atë pagesën në anën shëndetësore”, u shpreh Ylli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos