
Nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut zhvilluan një protestë përpara selisë së qeverisë kundër zhvillimit të mësimit online.
Ata kërkojnë zhvillimin e një procesi mësimor të kombinuar, ku mund të ketë dhe orë që mund të zhvillohen në rrjet. Protesta e tyre zgjati për disa orë, por gjimnazistët paralajmërojnë se duan që kërkesat e tyre të plotësohen menjëherë, pasi në të kundërt nga 1 tetori do ta bojkotojnë këtë lloj të arsimimit.
Ata thonë se nëse kërkesat e tyre nuk dëgjohen nga institucionet, do të vazhdojnë protestat e tyre edhe më fuqishëm duke i përshkallëzuar protestat në të gjitha qytetet e vendit. (A2 Televizion)
Kërkesat e gjimnazistëve në Maqedoninë e Veriut:
- Nxënësit të njihen si partnerë në të gjitha proceset e vendimmarrjes në politikë dhe në shoqërinë civile.
- Mësim i kombinuar si e vetmja mënyrë e procesit mësimor për aq kohë sa do të vazhdojë pandemia.
- Qasje e decentralizuar, ku secila komunë apo shkollë të vendosë mënyrën e vet të mësimbajtjes në varësi të kushteve.
- Në shkollat profesionale, praktika të zhvillohet me prezencë fizike.
- Të respektohen masat e higjienës personale, me të gjitha pajisjet e duhura në këtë kohë pandemie