Italia, Polonia dhe Austria janë disa prej 13 shteteve anëtare të BE, që po hartojnë një dokument informal, përmes të cilit bëjnë thirrje për çelje të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë takimit të së mërkurës me ambasadorët e shteteve anëtare në Bruksel.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Euroactiv, nisma përfaqëson një lloj presoni që i kundërvihet idesë se Bashkimi Evropian ka nevojë të thellohet para se të zgjerohet.

“Dilema midis zgjerimit dhe thellimit të unionit është artificiale, pasi kjo nuk ka të bëjë me pranimin e pjesëtarëve të rinj, por vetëm me hapjen e negociatave, thotë një diplomat i një prej 13 vendeve.
Lajmi se Polonia ishte nismëtare e një dokumenti informal mes vendeve kryesisht të Evropës qendrore dhe lindore, filloi të qarkullonte javën e kaluar. Franca dhe Holanda kryesojnë kampin opozitar ndaj çeljes së negociatave, ndërsa Gjermania është e ndarë.

Cdu/Csu kërkon shtyrjen e procesit ndërsa Ministri i shtetit nga radhët e SPD, Michael Roth, mendon se negociatat duhet të nisin menjëherë. Ndërkaq, ministri i jashtëm çek, Tomas Petricek konfirmoi se vendi mbështet zgjerimin. (A2 Televizion)