“Një avion i dytë i Prigozhin u ul në Moskë”, Wagner vesh me dyshim vdekjen e liderit

Nga A2 CNN
23 Gusht 2023, 20:55 | Bota

Emri i shefit të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin ka qenë në listën e pasagjerëve që janë imbarkuar në avionin  Embraer Legacy 600, me numër serial RA-02795 që u rrëzua mbrëmjen e sotme në rajonin Tver të Moskës.

Avioni me 3 anëtarë ekuipazhi dhe 7 pasagjerë u rrëzua 30 minuta pasi u ngrit nga aeroporti Sheremetyevo i Moskës dhe po fluturonte në drejtim Shën Petersburgut.

Aeroplani Embraer po fluturonte nga Sheremetyevo për në Shën Petersburg. Në bord kishte tre anëtarë ekuipazhi dhe shtatë pasagjerë. Të gjithë kanë vdekur”, tha një zyrtar i Ministrisë së Emergjencave për TASS.

Edhe sipas Rosaviatsia, agjencisë federale të transportit ajror të Rusisë, e cituar nga mediat ruse, themeluesi i Wagner ishte i listuar në mesin e pasagjerëve të avionit privat. Sipas mediumit BAZA që i referohet shërbimit Flightradar, avioni i Prigozhinit zhduk nga radari teksa po ngjitej në lartësinë e duhur.

Por, kanalet në platformën Telegram të grupit Wagner kanë hedhur dyshime për vdekjen e shefit të tyre.

Ata fillimisht konfirmuan se avioni Embraer Legacy 600 me numër regjistrimi RA-02795, i përket Prigozhin dhe pretenduan se është rrëzuar pasi është goditur nga mbrojtja ajrore ruse.

Por sërish në kanalet e tyre ka nisur të qarkullojë lajmi se një avion i dytë privat po në pronësi të Yevgeny Prigozhin është ulur në një aeroport në Moskë në momentin kur ai që udhëtonte drejt Shën Petersburgut rrëzohej.

Avioni është një Embraer ERJ-135BJ Legacy 650 me numër serie RA-02748, që u ul në aeroportin Ostafyevo të Moskës.

Edhe kanali zyrtar i Wagner-it konfirmon praninë e avionit të dytë dhe sqaron: “Edhe pse shumë kanale shkruajnë se Prigozhin ka vdekur, ka gjasa që ai mund të ketë fluturuar me avionin tjetër”.

Ndërkohë, sipas Kyiv Post dhe disa kanaleve në Telegram që qëndrojnë pranë forcave ruse të sigurisë, në bordin e avionit të rrëzuar ishte edhe zëvendësi i Prigozhin në hierarkinë e Wagner, Dmitry Utkin.

Ndërkohë, në vendin ku u rrëzua avioni, shërbimet e urgjencës kanë nxjerrë deri më tani trupat e tetë viktimave. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/08/23/vdes-kreu-i-wagner-yevgeny-prigozhin/

A2 CNN Livestream

Latest Videos