Një avion mallrash Boeing 737 bën ulje emergjente në ujë në Honolulu

Nga A2 CNN
2 Korrik 2021, 18:31 | Bota
Një avion mallrash Boeing 737 bën ulje emergjente në ujë

Një avion mallrash Boeing 737 me dy persona në bord është rrëzuar në brigjet e Hawaiit pasi raportohet se ka patur probleme në motor.

Sipas Autoritetit Federal të Aviacionit të SHBA (FAA), Garda Bregdetare shpëtoi të dy pilotët.

Avioni ishte duke udhëtuar nga Honolulu për në ishullin Maui, por ra në ujë shpejt pasi u ngrit nga Aeroporti Ndërkombëtar Daniel K Inouye. Pilotët raportuan se nuk mund të mbanin shpejtësinë e ajrit dhe lartësinë pas dështimit të njërit prej dy motorëve në Boeing 737-200, sipas regjistrimeve LiveATC, dhe se ata dyshuan se motori i dytë gjithashtu do të dështonte.

FAA dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit kanë nisur hetimet, ndërkohë që në një deklaratë të Boeing raportuar nga mediat amerikane thuhet se ata ishin në kontakt me autoritetet dhe po monitorojnë nga afër situatën.

Sipas zyrtarëve nga departamenti i transportit të shtetit, cituar nga “Hawaii News Now” (HNN), një pilot u dërgua në Qendrën Mjekësore të Mbretëreshës dhe është në kujdesin intensiv në gjendje kritike.

Shpëtuesit sollën pilotin tjetër në breg me anije, tha HNN, i cili është në një gjendje të rëndë me një dëmtim në kokë.

Uebfaqja për ndjekjen e fluturimeve Flightradar24 shkroi në Tëitter se ishte një avion me ngarkesë 737-200 që operonte për transportuesin Transair që nga viti 2014. Ai u ndërtua në 1975 dhe u dërgua për herë të parë në Pacific western Airlines.

Sipas faqes së saj të internetit, Transair ka qenë në biznes që nga viti 1982 dhe është një nga operatorët më të mëdhenj të mallrave ajrorë në Hawaii dhe ka një flotë prej pesë Boeing 737.

Ky avion nuk është i njëjtë me Boeing 737 Max, avioni përkohësisht i ndaluar nga autoritetet, pas dy përplasjeve ajrore fatale të pasagjerëve në 2018 dhe 2019. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos