Një Ferrari i shkatërruar që mund të blihet për 1 milion euro

Nga A2 CNN
19 Qershor 2023, 14:16 | Lifestyle

Duket thjesht një grumbull hekurash, por numri i shasisë konfirmon se bëhet fjalë për një Ferrari Mondial 500, i ndërtuar në fillim të viteve ‘50.

Pronari i kësaj hekurishteje, që është dëmtuar edhe nga zjarri, e ka ruajtur atë për 45 vjet dhe ka bërë mirë. Këtë korrik, shasia do të dalë në ankand dhe sipas ekspertëve mund të blihet edhe për një milion euro. Makina, ose më saktë mbetjet e Ferrari 500 Mondial, u prodhua vetëm në 13 kopje.

Ajo u ndërtua në mars të vitit 1954, në një ngjyrë “Rosso Corsa”, dhe është pilotuar në Coppa della Toscana, nga Franco Cortese, i cili ishte pilot i Ferrarit në atë kohë.

E veçanta e 500 Mondial është se kishte një motor me vetëm katër cilindra, kur është e njohur tradita e markës italiane për motorët V12. Ky ndryshim i konceptit për disa nga modelet e tij u urdhërua nga Enzo Ferrari, pasi mori pjesë në një garë në vitin 1950 dhe pa që makinat me motorë me katër cilindra nga prodhues të tjerë ishin më të shpejtë se makinat e tij. Kjo sepse këta motorë më të vegjël arrinin rrotullimet e tyre maksimale shumë më herët se motorët me 12 cilindra, duke i bërë ata një opsion të shkëlqyeshëm në pistat me shumë kthesa të ngadalta.

Kështu, ai thirri inxhinierin e tij Aurelio Lampredi dhe i kërkoi të krijonte një motor me katër cilindra në linjë, që përfundoi me 65% më pak pjesë se V12 i famshëm i projektuar nga Colombo, përveçse peshonte 42 kilogramë më pak. Dhe, më e mira nga të gjitha, falë zgjidhjeve të tilla si ndezja nga dy kandelat në secilin nga cilindrat (500 c.c.) dhe dy karburatorët Webber, arriti 170 kuaj fuqi, që ishin spektakolare në atë kohë, domethënë 15 kuaj fuqi më shumë sesa motori V12.

500 Mondial (ose çfarë ka mbetur nga ai) ka marrë pjesë në Çmimin e Madh të Imolës të vitit 1955, megjithëse iu desh të tërhiqej në xhiron e formatimit për një problem mekanik. Dhe megjithëse nuk arriti asnjë fitore, mori pjesë në gara të tilla si Mille Miglia ose Targa Florio, derisa u eksportua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1958.

Aty, në vitin 1963 ndryshuan motorin me 4 cilindra Ferrari për një V8 amerikan (një praktikë normale në SHBA me makina garash të importuara) dhe në vitin 1965 pësoi një aksident që e shkatërroi plotësisht dhe e la në gjendjen që ne shohim sot.

Dihet se në fillim të viteve ‘70 këto mbetje ndërruan duar dhe se në vitin 1978 iu shitën sërish një njeriu të quajtur Walter Medlin, i cili e ka ruajtur deri tani. Tashmë, hekurishtja do të dalë në ankand në RM Sotheby's dhe, siç thamë, mund të arrijë një milion euro. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/16/alonso-e-nxori-ne-ankand-por-askush-nuk-e-bleu-ferrarin-e-tij-ekskluziv/
https://a2news.com/2023/01/19/blen-nje-ferrari-nuk-e-perdor-kurre-dhe-ne-fund-e-shet-pas-14-vitesh/

A2 CNN Livestream

Latest Videos