Një festival për qytetet tona

Nga A2 CNN
22 Shtator 2021, 17:33 | Aktualitet
Një festival për qytetet tona

Për 3 ditë me radhë, njerëz nga i gjithë vendi bëhen bashkë për të festuar dhe për t’u harruar mes turmës dhe muzikës së mirë. Ja pse festivalet na kanë munguar kaq shumë. Sepse janë vendi ideal ku, edhe pse vetëm për një fundjavë, e vetmja gjë që ka rëndësi është t’ia kalosh mirë.

Nga dëshira për t’ia kaluar mirë lindi dhe Check-in Fest Albania. Një festë e madhe që viziton 5 qytete, në 5 fundjava. Festivali është një ftesë për t’u gjetur mes njëri tjetrit në rrugët e qyteteve tona dhe për të dëgjuar poezinë e tyre.

Qëllimi është të rikthejmë vizitorët shqiptarë në qytetet shqiptare duke promovuar kulturën, historinë dhe artin e tyre.

Ne duam t’i japim kujtdo mundësinë për të hapur mendjen, teksa shijon muzikë të mirë, njeh njerëz të rinj dhe krijon kujtime të paharrueshme.

I menduar si një festival lëvizës, Check-in Fest nisi në Shkodër fundjavën e parë të shtatorit, për të udhëtuar më pas drejt Gjirokastrës, Korçës, Vlorës në fundjavat në vazhdim. Pas një muaji rrugëtim, destinacioni final do të jetë fillimi i tetorit, në Tiranë.

Me një program të ngjeshur aktivitetesh, ky festival ofron diçka argëtuese për këdo. Ekspozita në qiell të hapur, festa me balona për fëmijë, gjueti thesaresh, konferenca shkencore dhe jo vetëm. Muzika e zgjedhur elektronike do të pushtojë rrugët në Check-in Party, ndërsa në mbrëmje një koncert i madh live me artistë të njohur do të ndezë natën. Publiku i secilit qytet do të shijojnë performancat e artistëve si Peter Pan Quartet, All In Band, Offchestra, Orgesa Zaimi dhe grupi i të rinjve shqiptar, Asgjë Sikur Dielli.

Check-in Fest premton 3 ditë të paharrueshme të mbushura me art, muzikë dhe trashëgimi. Një përvojë shumë-dimensionale ku çdo aktivitet është një arsye e fortë për festuar së bashku dhe për të bërë check-in. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos