
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, reagoi në lidhje dhe me rekomandimin nga ana e Akademisë së Shkencave për vaksinimin me dozën e tretë të personave mbi 65 vjeç dhe aplikimin e vaksinës anti-Covid te fëmijët mbi 12 vjeç.
Rakacolli u shpreh se një vendim i tillë merret vetëm nga Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit që ndodhet pranë Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët ende nuk janë shprehur për këtë gjë
“Në lidhje me rekomandimin e Akademisë së Shkencave për dozën e tretë të vaksinës dhe vaksinimin e fëmijëve sqaroj se vendimi jepet nga Komiteti i Ekspertëve të vaksinimit që funksionon pranë MSH që jep rekomandim për të gjithë kalendarin e vaksinimit. Ky komitet nuk ka prezantuar deri tani një vendim të tillë. Natyrisht që doza e tretë dhe vaksinimi i fëmijëve po bëhet në disa vende të botës, por ka ende shumë argumente pro dhe kundër. Janë disa vendime të kujdesshme që duhet të ndërmerren nga ekspertët”, tha Rakacolli. (A2 Televizion)