Një edicion i kufizuar i McLaren me motor të larë me flori është bërë mjeti më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë në ankand nga prodhuesi britanik i makinave. McLaren 1994 F1 LM (Le Mans) u shit të premten e kaluar nga Sotheby në Kaliforni për 19,8 milionë dollarë. Një shifër rekord, por gjithsesi më pak se sa kishin menduar fillimisht ekspertët, të cilët kishin parashikuar se makina do të shitej për një shifër diku mes 21 dhe 23 milionë dollarë.
Si kjo makinë janë prodhuar vetëm 106 copë, edhe pse secila është unike në stilin e saj. Makina e shitur është ndër të paktat makina për përdorim në rrugë e cila ka parametrat e mjeteve që marrin pjesë në garën e Le Mans. Një model i tillë ka fituar garën e famshme që zgjat 24 orë, në vitin 1995.
Përveç se superluksoz, i larë me flori, motori 12 cilindra, 6,1 litra i jep makinës një fuqi të jashtëzakonshme, ndërsa dy radiatorë shtesë shërbejnë për të mbajtur mjetin e freskët. Për të qenë sa më e rehatshme në rrugë, makinës i janë përmirësuar ndenjëset, kondicioneri, ndërsa për të garantuar shpejtësi si në pistë garash janë vendosur goma GTR 18 inç. (A2 Televizion)